Ferizaj, 7 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit i Përgjithshëm – Divizioni Penal, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit L.A. shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se për veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari individual Elmaz Zenuni, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK, të njëjtit i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro dhe dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën prej një (1) viti, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I pandehuri akuzohet se në mars të vitit 2019 në Ferizaj, në pozitën zyrtare në Asamblenë Komunale në Ferizaj, i cili ka qenë i detyruar sipas ligjit të bëjë deklarimin e pasurisë së të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, në atë mënyrë që në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën 1 janar e deri më 31 dhjetor 2018 nuk ka paraqitur të dhënat lidhur me zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare në disa biznese.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.