Ferizaj 18 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.D dhe N.A. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë nga neni 395 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale Falsifikim i dokumenteve nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake të Divizionit Penal – Imri Sejda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj..
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurve dhe pengimi i rrjedhjes së procedurës penale, ngase është realizuar në mënyrë të kundërligjshme një transaksion me vlerë të madhe, përkatësisht në shumë prej një milion e nëntëdhjetë e shtatë mijë euro (1.097.000.00) dhe për këtë personi tjetër që ka qenë në bashkëkryerje të këtyre veprave penale J.Zh. tani gjendet në arrati dhe duke marrë parasysh edhe faktin se nëse eventualisht të pandehurit shpallen fajtor mund të ju shqiptohet dënim mjaft i lartë me burgim dhe kjo rrethanë mund ti motivojë të njëjtit ti shmangen ndjekjes penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.