Ferizaj 12 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit K.P. dhe A.K. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë” nga neni 315 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake të Divizionit Penal – Elmaz Zenuni, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj..
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, se ekziston rrezik konkret dhe real se të pandehurit mund të përsërisin vepra penale të kësaj natyre, sidomos bazuar në faktin se kemi të bëjmë me vepër penale të natyrës së rëndë, ku objekt i veprës penale janë gjësendet e vjedhura me anë të përdorimit të forcës duke i thyer dy shtëpi me kaqavidë, andaj nëse të pandehurit do të gjenden në liri ekziston rreziku i ikjes, nga se që të dy të pandehurit janë të njohur për gjykatën si recidivist edhe për shumë raste tjera penale të cilat janë të përfunduara dhe një numër janë në procedurë e sipër, se mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose të falsifikojnë provat e veprës penale, përkatësisht ekzistojnë rrethana të posaçme se të njëjtit do të mund të ndikonin në bashkëpjesëmarrësit e tjetër.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.