Ferizaj 20 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.T.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal Fitore Krivanjeva Daci, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 15 janar 2021, në Ferizaj, nëpërmjet telefonit celular në rrjetin e komunikimit “Viber’’, i ka dërguar të dëmtuarës – motrës së tij foto të një revoleje dhe disa fishekëve dhe sms–tekst mesazh me fjalët “krejt në ballë ka me ja njeh” me ç’rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri te e dëmtuara.
Gjyqtarja e procedurës paraprake bazuar në dispozitat e KPPRK-së, vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, dhe se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarës, përkatësisht motrës së tij dhe të dëshmitarëve tjerë, dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.