Ferizaj 20 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal Fitore Krivanjeva Daci, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj. Paraburgimi do të mbahet në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në QKUK – Prishtinë.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 19 janar 2021, në Ferizaj, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, ka kanosur të dëmtuarën nënën e tij V.S. duke u shprehur me fjalët se do ta vras me ç’rast kjo kanosje ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri tek e dëmtuara.
Gjyqtarja e procedurës paraprake bazuar në dispozitat e KPPRK-së, vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit ne Institutin e Forenzikës Psikiatrike, për persona me çrregullime mendore e po ashtu është i nevojshëm ekzaminimi psikiatrik i të pandehurit, respektivisht për konstatimin e natyrës, llojit, shkallës dhe kohëzgjatjen e sëmundjes mendore, pastaj llojin e ndikimit që mund të ketë sëmundja mendore, në të kuptuarit e veprimeve të pandehurit, si dhe vlerësimin e aftësive të tija për ta mbrojtur veten dhe aftësitë që të konsultohet me persona tjerë. Andaj duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, gjyqtari ka vlerësuar se po të gjendej në liri i pandehuri mund të asgjësoj, fsheh, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale apo të ndikojë në dëshmitë e të dëmtuarës dhe të dëshmitarëve tjerë, dhe në këtë mënyrë do të pamundësohej rrjedha normale e procedurës penale
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.