Ferizaj 26 janar 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.R. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka refuzuar si të pabazuar konform dispozitave të KPPRK-së, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 24.01.2021, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, duke drejtuar automjetin e tij, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me nenin 53 të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, në atë mënyrë që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe gjendjes së rrugës, dhe duke mos i kushtuar kujdes këmbësorit që ishte duke lëvizur nga ana e majtë për në anën e djathë në drejtim të lëvizjes së automjetit, tani të ndjerin N.P. e hedh mbi automjet dhe këmbësori përplaset në rrugë me ç’ rast nga plagët e marruara në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar vdekjen e tij.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.