Ferizaj 16 shkurt 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 16.02.2021, pas një kontrolle nga ana e policisë për shkak të një rasti të lajmëruar si dhunë në familje, në shtëpinë e tij janë gjetur dy (2) granata dore të tipit F-1, dy (2) pistoleta Ekol Special – një (1) pistoletë Zastava, një (1) pistoletë Ekol Tuna, një (1) pistoletë Ekol Voltaran Tuna, dhjetë (10) fishek të revoles, një (1) elektroshok T6 – 28 dhe gjashtë (6) thika me dimension 15 30 cm, të cilat janë sekuestruar nga policia.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.