Ferizaj 4 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga – Lubishtani, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 21 shkurt 2021, në fshatin Bibaj – Komuna Ferizaj, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit A.L., në atë mënyrë që pas një fjalosje, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditje rrëzohet në tokë-beton dhe pëson lëndime trupore, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara i njëjti ndërron jetë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marr parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi po të gjendet në liri i pandehuri, mund të arratiset ose të ike, duke marr parasysh se njëjti që nga data 21.02.2021 është arratisur, gjegjësisht ka shkuar në shtetin e Zvicrës edhe për kundër faktit se ai është paraqitur vullnetarisht në organet e ndjekjes, i njëjti ka të rregulluar statusin e leje qëndrimit ne Zvicër dhe mund të ikë ose të arratiset.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.