Ferizaj 5 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje Grabitje nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të
të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 12 Dhjetor 2020, në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, së bashku me të pandehurin F.B., me dashje dhe me përgatitje paraprake, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer grabitje në dëm të dëmtuarit A.B., në atë mënyrë që me përdorimin e armës dhe kanosjes serioze, i pandehuri A me tu takuar me të njëjtin, ia merr telefonin e markës “Iphone 11 pro max”, në vlerë prej 815 € kinse për ta shikuar, e të cilin telefon e kishte porositur paraprakisht, ndërsa më pas i thotë të pandehurit F. jepja të hollat, mirëpo me atë rast i pandehuri F. nxjerr një revole, të cilën ia drejton të dëmtuarit, ashtu që nën kërcënimin e armës përveç telefonit ia merr të dëmtuarit edhe shumën e të hollave prej 107 euro.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.