Ferizaj 27 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.B. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 25.03.2021 në një lokal në Ferizaj, i pandehuri në bashkëkryerje me të miturin J.A. me dashje kanë përdorur forcë fizike ndaj të dëmtuarve L.B.1 dhr L.B.2., në atë mënyrë që përderisa të dëmtuarit ishin duke qëndruar në lokal, fillimisht i pandehuri ngritët nga tavolina e tij dhe shkon tek tavolina e të dëmtuarve L.B.1. L.B.2. dhe ku pas një fjalosje verbale i pandehuri me një mjet të fortë thikë mjet ky i përshtatshëm për shkaktim e lëndimit të rëndë trupor e godet të dëmtuarin L.B.1. saktësisht në shpatull të majtë si dhe L.B.2. e me pas edhe i mituri shkon për të i ndihmuar të pandehurit L.B. ku si pasoje e këtyre goditjeve të dëmtuarit pësojnë lëndime të rënda trupore.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjykata me rastin e vendosjes pati parasysh faktin dhe pretendimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të cilët kontestonin kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se edhe me masa me të buta do të sigurohej prezenca e të pandehurit në procedurë si dhe do të pamundësonin të njëjtin që të përsërisë veprën penale, por gjykata vlerëson se aplikimi i masave më të buta (arrestit shtëpiak), por edhe i masave tjera, nuk është i mjaftueshëm për të pamundësuar që i pandehuri të mos kryej vepra penale të tilla apo të ngjashme.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.