Ferizaj 30 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve T.B.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri me përdorimin e forcës fizike i godet me grushte dhe shqelma në fytyrë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të dëmtuarat fillimisht bashkëshorten e tij, e më pas edhe motrën e bashkëshortes së tij duke i rrëzuar në tokë të cilat nga këto goditje pësojnë lëndime trupore.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Sipas vlerësimit të gjykatës, janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat ligjore të KPPRK-së, marr parasysh se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, ndërsa po të gjendet i pandehuri në liri mund të ndikojë tek dëshmitarët, apo të dëmtuarat, andaj do të ekzistonte rreziku real dhe potencial që do të shpinte deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.