Ferizaj 2 prill 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.A. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Grabitja nga nen 317 paragrafi 1 të KPRK-së.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga – Lubishtani, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 31.03.2021 , në Ferizaj me përdorimin e forcës ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarës L.S.I. , në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ishte duke e shtyrë karrocën në të cilën e kishte fëmijën, pasi kalon nënkalimin dhe del në rrugën “Ahmet Kaqiku”, i pandehuri i cili ishte duke ardhur përball të dëmtuarës, kur afrohet ia kap me forcë zinxhirin e arit të cilin e kishte në qafë, duke e tërhequr me forcë derisa zinxhiri këputet, pastaj ikë përmes nënkalimit në drejtim të qendrës së qytetit, të cilin zinxhirë më 01.04.2021 e ka shitur tek një argjendari në Ferizaj për çmimin prej 675 euro.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të pandehurit që të caktohet masa e arrestit shtëpiak apo ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme për parandalimin e të pandehurit për të mos përsëritur kryerjen e veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.