Ferizaj 21 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Divizionit Penal – Imri Sejda, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 20.05.2021 në Ferizaj, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit ka kanosur seriozisht me fjalë dhe gjeste të dëmtuarin- vëllain e tij H.K., në atë mënyrë që disa ditë më parë përmes telefonit i ka dërguar sms dhe e ka kanosë me fjalët se: “një okfirë ka me zbrazë në ty”, pastaj nën posedimin e armës të llojit HS me caliber 9 MM, ka lëvizur me armë në shtëpinë e tyre dhe kjo kanosje kishte ardhur rreth një borxhi në mes tyre dhe me këtë i ka shkaktuar shqetësim, frikë dhe pasiguri të dëmtuarit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Gjykata vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me KPPRK-në, duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer kjo vepër penale, andaj ekziston rreziku real dhe potencial, se po që se i njëjti të gjendet në liri, mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.