Ferizaj 24 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.P. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se më 23.05.2021, në banesën e tyre në Ferizaj, i pandehuri me dashje i shkakton lëndim trupor të dëmtuarës-bashkëshortes së tij A.M. në atë mënyrë që pas një fjalosje e ia kap dy duart, dhe e godet me dorë në fytyrë, në syrin e majtë, me ç’ rast e dëmtuara kishte pësuar lëndime trupore, për të cilat lëndime posedon raport mjekësor nga QKMF-Ferizaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjykata me rastin e vendosjes pati parasysh faktin dhe pretendimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të cilët kontestonin kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se edhe me masa me të buta do të sigurohej prezenca e të pandehurit në procedurë si dhe do të pamundësonin të njëjtin që të përsërisë veprën penale, por gjykata vlerëson se aplikimi i masave më të buta (arrestit shtëpiak), por edhe i masave tjera, nuk është i mjaftueshëm për të pamundësuar që i pandehuri të mos kryej vepra penale të tilla apo të ngjashme.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.