Ferizaj, 26 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj dy të pandehurve F.B dhe A.B. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale Grabitje nga neni 317 paragrafi lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa i pandehuri A.B. edhe për veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK – së.
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurin F.B. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej nëntëqind (900)euro, ndërsa të pandehurin A.B. e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej nëntëqind (900) euro.
Të pandehurit F.B dhe A.B. akuzohen se më 12 dhjetor 2020, në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik, të pandehurit me dashje dhe me përgatitje paraprake, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer grabitje në dëm të dëmtuarit A.B., në atë mënyrë që me përdorimin e armës dhe kanosjes serioze për ta sulmuar jetën apo trupin e të dëmtuarit, i pandehuri A. me tu takuar me të njëjtin, ia merr telefonin e markës ” Iphone 11 pro max “, në vlerë prej 815 € kinse për ta shikuar, e të cilin telefon e kishte porositur paraprakisht , ndërsa më pas i thotë të pandehurit F. jepja të hollat, mirëpo me atë rast i pandehuri F. nxjerr një revole, të cilën ia drejton të dëmtuarit duke ia afruar tek pjesa e anës së majtë të trupit, përkatësisht të adbomenit, ashtu që nën kërcënimin e armës përveç telefonit ia merr të dëmtuarit edhe shumën e të hollave prej 107 € ,
I pandehuri A.B. akuzohet se më 10 dhjetor 2020, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër , e mashtron të dëmtuarin A.Z., në atë mënyrë që i njëjti përmes rrjetit social Instagram në emër të “….” porosit nga i dëmtuari një telefon të markës ” Iphone 11 pro max ” vlerë prej 815 € , duke iu prezantuar rrejshëm me ç ‘ rast i jep adresën e dërgesës në emër të L.A., me çka ka kryer veprën penale Mashtrimi nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK – së.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.