Ferizaj 28 maj 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.M. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosja nga neni 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Shabi Idrizi, ka vërtetuar faktin se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 25 maj 2021 në Ferizaj, seriozisht e kanos me fjalë se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe të dëmtuarës M.M., në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke hy në oborrin e saj, i pandehuri i del në rrugë dhe i drejtohet me fjalët se: “Nëse ti hyn në këtë oborr ka me u ba gjaku deri në gju”, pasi që i njëjti pretendon se djali i saj i ka borxh, me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar frik dhe ankth.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjykata me rastin e vendosjes pati parasysh faktin dhe pretendimin e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të cilët kontestonin kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke konsideruar se edhe me masa me të buta do të sigurohej prezenca e të pandehurit në procedurë si dhe do të pamundësonin të njëjtin që të përsërisë veprën penale, por gjykata vlerëson se aplikimi i masave më të buta (arrestit shtëpiak), por edhe i masave tjera, nuk është i mjaftueshëm për të pamundësuar që i pandehuri të mos kryej vepra penale të tilla apo të ngjashme.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij