Ferizaj, 18 qershor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Y.A. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të katër veprave penale vjedhje e rëndë nga neni 327 paragrafi 1 nënparagrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari individual i Divizionit Penal Shabi Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor të pandehurin për dy (2) vepra penale të vjedhjes së rëndë e shpalli fajtor dhe gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e katër (4) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej dyqind (200) euro.
I pandehuri akuzohet se më 13.01.2015, në Shtime me qëllim që me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme e që vetit të i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përdorimin e forcës me një shkallë të drurit ku përmes shkallës ka hapur dritaren e katit të dytë, ku prej aty ka hyrë brenda në shtëpinë e të dëmtuarit D.Sh ka marrë stoli prej ari në vlerë rreth 2500-3000€ dhe para të gatshme rreth 50 €, ndërsa më datë 06.06.2015, në shtëpinë e të dëmtuarit T.Z. në Shtime, i pandehuri fillimisht e kishte kaluar murin në lartësi 2 metra e pastaj përmes një shkalle të metaltë kishte hipur mbi garazh prej aty në terasë, ku përmes derës së terasës kishte depërtuar brenda në katin e dytë ku kishte kontrolluar në të gjitha dhomat dhe në dhomën e fjetjes kishte marre 5.215 €, 5000 Franga zvicerane dhe stoli të ndryshme ari në vlerë prej 6.500 €, sipas të dëmtuarit dhe dokumentet personale te tij.
I pandehuri Y.A. pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor është liruar nga akuza për veprën e tretë penale të vjedhjes së rëndë, pasi gjykata nuk ka gjetur se në veprimet e të pandehurit manifestohen elementet e veprës penale për te cilën akuzohet, andaj të njëjtin e ka liruar nga akuza se më 04.02.2015, në fshatin Talinovc i Muhaxherve Komuna Ferizaj, në shtëpinë e të dëmtuarës Xh.S. së bashku me dy persona tjerë P.K dhe K., me përdorimin e forcës, duke depërtuar brenda përmes derës së hyrjes në katin e dytë të shtëpisë pasi ka demuluar dhomën e gjumit ka vjedhur një sasi ari dhe atë 2×2.5 lira, me rreth dekorues, një lirë, dy zinxhirë qafe, dy rreth dore, katër unaza, një palë vathë dhe një telefon celularë “Alkatel” në vlerë mbi 3000 €, e pastaj janë larguar nga aty.
Po ashtu gjykata ka refuzuar akuzën për shkak të heqjes dorë nga ndjekja penale e prokurorit të shtetit, për shkak të veprës penale vjedhje e rëndë nga neni 327 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.