Ferizaj, 9 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.A.. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale grabitje nga neni 317 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe të pandehurit V.D. i akuzuar për veprën penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale nga neni 333 paragrafi 2 të KPRK-së.
Kryetari i trupit gjykues i Departamentit
për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së seancës gjyqësore të
pandehurin F.A. e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e
gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro, ndërsa
të pandehurin V.D. e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qofte se në periudhën kohore
prej një (1) viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi nuk kryen
vepër tjetër penale.
I pandehuri F.A. akuzohet se më 31 mars 2021, ne Ferizaj, me përdorimin e forcës ka përvetësuar pasurinë e
luajtshme të demtuares L.S.I., në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ishte duke e
shtyrë karrocën në të cilën kishte fëmijen, pasi klon nënkalimin dhe del në
rrugën “Ahmet Kaçiku”, i pandehuri ishte duke ardhur përball të dëmtuares, kur
afrohet ja kap me forcë zinxhirin e arit, ku ishte vendosur dhe një pllakë të
arit e gdhendur në forme të kokës së tigrit, në vlerë rreth 2300 euro, të cilën
e kishte në qafë, duke tërhequr me forcë derisa zinxhiri shkëputet nga qafa, e
pastaj ikë përmes nënkalimit në drejtim të qendrës së qytetit, kurse të nesërmen
zinxhirin e shet tek një argjendar në Ferizaj, për çmimin prej 675 euro, kurse
pllakën e shet tek tjetër argjendar, për çmimin prej 70 euro.
Ndërsa i pandehuri V.D. akuzohet se më 1 prill 2021, në dyqanin e argjendaris, në Ferizaj, ka blere një
pllakë të arit nga i pandehuri i parë, edhe pse ka mundur të di se është
përfituar nga vepra penale në atë mënyrë që derisa ishte duke punuar në lokalin
e tij i pandehuri F.A. i ka ofruar për shitje një pllakë të arit në formë të
kokës së tigrit, të cilin e kishte grabitur nga e dëmtuara, kurse i pandehuri e
ka blere prej 70 euro, me ç’rast nuk ka bërë identifikimin e shitësit dhe as
nuk ka lëshuar kupon fiskal, edhe pse vlera reale ishte shumë më e larte dhe ka
mundur ta di që është përfituar nga vepra penale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat
prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të
shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës
Themelore të Ferizajt.