Kaçanik 15 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Degës në Kaçanik – Riza Livoreka, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se ka përdorur forcë ndaj të dëmtuarës bashkëshortes së tij, përveç me grushta në pjesë të trupit, krah, këmbë, me zinxhirin e qafës në këmbë, si dhe me një mjet në rastin konkret me tigan-fortesë në bark, shpinë dhe krahë, e për të cilat lëndime trupore e dëmtuara ka marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Mjekësore Familjare në Kaçanik.
Andaj, gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.