Ferizaj, 3 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.B.; Sh.B. dhe K.B.. shtetas të Republikës së Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje në vazhdim blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të të gjitha provave për veprën penale si në aktakuzë, të pandehurin H.B. e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj, dhe dënim me gjobë në shumë prej dyqind (200) euro; të pandehurit Sh.B. për veprën penale në vazhdim blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet e dhjetë (10) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej dyqind (200) euro, ndërsa të pandehurin K.B. e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej dyqind (200) euro.
Gjykata konform dispozitave të KPRK-së, konfiskon në mënyrë të përhershme armën e tipit “Zoraki M906”, e të pandehurit Sh.B. një karikator me 4 fishek 7.65mm, 21 fishek të kalibrit 9mm, dhe 3 fishekë. Konfiskohen në mënyrë të përhershme substanca narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 111.7 gram, substanca e llojit kokainë me peshë 1.72 gram, 2 peshore digjitale, 2 mullinj për bluarje, si dhe 36 copa qese të vogla najloni, që kanë shërbyer për ndarjen e substancave narkotike. Po ashtu konfiskohen në mënyrë të përhershme shuma e parave në vlerë prej 161 euro, 200 lekë të Shqipërisë si dhe vetura e markës “Hunday Terasan 2.9 CRDI”.
Të pandehurit akuzohen se më 12 shkurt 2019 deri më 23 dhjetor 2019 në Ferizaj, me dashje pa autorizim, kanë shitur substanca narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë, ashtu që të pandehurit H… dhe Sh… janë furnizuar nga persona të panjohur në Prishtinë, me substancën narkotike të cilën e kanë dërguar në shtëpinë e tyre, të cilën e kanë përgatitur në qese të vogla, dhe e kanë shitur në Ferizaj, por edhe nga shtëpia e tyre, ndërsa gjatë zbatimit të urdhër kontrollit nga Njësiti Antidrogë, në shtëpinë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar: dy qese me substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 111.7 gram, një qese me kokainë në peshë prej 1.72 gram, dy peshore digjitale të cilat kanë shërbyer për matjen e substancave narkotike, dy mullinj për bluarje si dhe 36 copë qese të vogla të najlonit të cilat ju kanë shërbyer për ndarjen e substancave narkotike në pjesë më të vogla për të i shitur tek personat e ndryshëm.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.