Ferizaj 15 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.R.. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 13 shtator 2021 në Ferizaj, pa autorizim ka shpërnda dhe shitë substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që ditën kritike pas marrëveshjes paraprake përmes telefonit me të pandehurit I.D. dhe M.Q., lidhur me shitblerjen e substancës narkotike, i njëjti nga Njësia e DHTN-së, kapet në flagrancë, me ç ‘rast gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, ndërsa me rastin e bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurit V.E., janë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e substancës së dyshuar të llojit marihuanë, e ndarë në dy (2) qese najloni, ku njërën kishte gjashtëdhjetë (60) paketime me najlon të tejdukshëm, e përgatitur për shitje me peshë prej 43 gram, ndërsa qesja tjetër me peshë 83 gram, po ashtu gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur edhe një peshore digjitale, me mbishkrim “Fuego”, me ngjyrë të bardhë, një shufër plastike si dhe para në monedha të ndryshme letre, në shumë prej 80 €.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.