Ferizaj, 14 tetor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.E. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 12.10.2021, në një fshat në Komunën Ferizaj, pas një mosmarrëveshje verbale me të dëmtuarën (bashkëshorten e tij) M.U. duke e përdorur forcën me dashje e sulmon të dëmtuarën, fillimisht e gjuan me një mjet i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore “zmadhues zëri”, duke e goditur në këmbën e djathtë e me pas duke kapur për flokë, përplasur për tokë dhe duke e shkelur me këmbë në stomak, me çka të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore ku e njëjta për ketë ka kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.