Ferizaj, 17 tetor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.T. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 15 tetor 2021, në Kaçanik, me dashje ka tentuar ta provoj nga jeta të dëmtuarin J.D. në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi, të cilin borxh vëllai i të dëmtuarit ia kishte vëllait të të pandehurit, i pandehuri fillimisht përleshet me të njëjtin, e më pas e sulmon me një mjetë të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor, mjetë të mprehtë-thikë, duke e goditur dy herë, në pjesën e abdomenit, me ç’rast si pasojë e këtyre goditjeve, i dëmtuari pëson lëndime trupore, për çka detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në QKMF në Kaçanik, në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas edhe në QKUK në Prishtinë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.