Ferizaj, 1 dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.R shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti i Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri më 29 nëntor 2021, në Han të Elezit, duke drejtuar automjetin e tij në drejtim të Kaçanikut, me të arritur përballë maketit “ETC”, nga pakujdesia shkel Ligjin për Trafikun Publik, duke mos i`u përshtatur shpejtësisë së lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë me vendbanim dhe kushteve atmosferike (duke rënë shi), në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet për pasoja, derisa i ndjeri I.D, ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën nga ana e majtë, e godet me pjesën e parë të anës së majtë duke rrëzuar në tokë, si rezultat i së cilës fillimisht i ndjeri dërgohet në Qendrën Emergjente në QKMF – Hani i Elezit dhe nga mjeku kujdestar është konfirmuar vdekja.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditë. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.