Ferizaj, 25 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve: L.T., O.V., M.H., SH.D., F.K., A.K., shtetas të Republikës së Kosovës dhe A.A. shtetas i Republikës së Turqisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së; ndërkaq, L.T. dhe O.V. dyshohen edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit L.T., O.V., M.H., SH.D., F.K., A.K., A.A., më 23 shkurt 2022, në terminalin doganor në Hanin e Elezit, duke vepruar si anëtarë të grupit, pa autorizim kanë transportuar nga Turqia në Republikën e Kosovës, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, të cilat substanca kanë pasur për qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimi për shitje, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit të automjetit transportues është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, me peshë të përgjithshme 83.592 gram, të cilat për destinacion ka pasur Prishtinën.
Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër shtatë (7) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.