Ferizaj, 11 maj 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit D.K., shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale detyrimi nga neni 267 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).
Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tetë (8) muaj.
I pandehuri D.K. akuzohet se më datë 14 nëntor 2012, në Ferizaj, me qëllim që vetes t`i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me forcë dhe kërcënim serioz e ka detyruar të dëmtuarin B.Q., të veproj në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që përmes kërcënimit se: “ka me të mbyt ty, nënën dhe baban nëse nuk më jep para”, ashtu që ky kërcënim ka shkaktuar shqetësim dhe ankth te i dëmtuari dhe i njëjti është detyruar që të veproj kundër pasurisë së tij, dhe të pandehurit t`i jap: këpucë, dy playstation dhe gjëra të tjera të ndryshme materiale.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.