Ferizaj, 14 korrik 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.G.V., i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprave penale vrasja nga neni 30 paragrafi 1 të Ligjit Penal të KSAK-së, dhe veprës penale plagosja e rëndë nga neni 38 paragrafi 2 të Ligjit Penal të KSAK-së.
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin A.G.V., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vite, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri A.G.V., akuzohet për dispozitivin e I: për shkak se më datë 9 nëntor 2002, në banesën e përbashkët familjare në Bad Oeynhausen të Gjermanisë, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij I.G., në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme dhe për motive xhelozie, tani të ndjerën e godet tri herë me thikë të kuzhinë me teh rreth 20 cm, dhe atë një herë në pjesën e majtë të barkut, një herë në pjesën e përparme të kofshës së djathtë dhe një herë në pjesën e shpatullës së majtë afër kraharorit, duke i shkaktuar plagë me një gjatësi prej 7 cm dhe një thellësi të paktën 20 cm, me ç`rast tani e ndjera si pasojë e goditjeve ka marrë plagë vdekjeprurës për shkak të gjakderdhjes së madhe dhe të nesërmen ka vdekur në spitalin e Bad Oeynhausen-it. Ndërkaq, në dispozitivin e II: me datë, kohë dhe vend të njëjtë me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarave H.G., dhe D.K., në atë mënyrë derisa i pandehuri ishte duke u grindur me tani të ndjerën I.G., e dëmtuara D.G., tenton ta thërrasë policinë përmes telefonit, atëherë i pandehuri merr thikë kuzhine me gjatësi rreth 20 cm me të cilën e godet të dëmtuarën D.K., në anën e djathtë të kraharorit, duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese me të cilat ka shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Pastaj e godet të dëmtuarën H.G., në pjesën e barkut duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese në anën e majtë të abdomenit me dëmtime të zorrës së hollë, gjakderdhje arteriale, dëmtim i apendiksit, të cilës i ka shkaktuar dëmtime të rënda trupor, të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës në momentin e shkaktimit.
Të pandehurit A.G.V., me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.