Ferizaj, 19 tetor 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve; N.B., T.B., K.B., të akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, si në vijim:
N.B., për shkak të veprave penale kultivimi i bëmës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës të kanabisit nga neni 272 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1; veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
T.B., për shkak të veprës penale kultivimi i bëmës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës të kanabisit nga neni 272 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
K.B., për shkak të veprës penale kultivimi i bëmës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës të kanabisit nga neni 272 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Kryetari i Trupit Gjykues – Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar dhe pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurve, shpall fajtor të pandehurit N.B., T.B., K.B., ashtu që në muajin shkurt deri më 6 korrik 2022 të pandehurit duke vepruar si anëtarë të grupit, në një fshat të Komunës së Kaçanikut, me dashje, pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, në atë mënyrë që kanë marrë një shtëpi me qira në të cilën kanë zhvilluar këtë veprimtari, mirëpo rreth orës 14:30, gjatë kontrollit brenda shtëpisë janë hasur të pandehurit të cilët janë arrestuar dhe nga aty janë gjetur bimë e kanabisit të paketuar në sasi prej 5 kg e 227.6 gram, së bashku me pajisjet për kultivimin e tyre të cilat edhe janë sekuestruar nga policia. Gjithashtu, i pandehuri N.M., me 6 korrik 2002, në banesën e tij në Ferizaj, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit “Sigsauer”, pa numër serik, ngjyrë të zezë, një karikator me 7 fishekë, të kalibrit 7.65 mm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të banesës së tij nga ana e policisë e njëjta i gjendet dhe sekuestrohet. Andaj, të pandehurin: N.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet, si dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë e gjashtëqind (2.600) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin T.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin K.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Të pandehurit N.B., T.B., K.B., akuzohen për shkak të veprave penale të lartshënuara.
Të akuzuarve: N.B., T.B., K.B., i është ndërprerë masa e paraburgimit, për shkak se kanë pushuar arsyejet për të cilat ka qenë e caktuar kjo masë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.