Ferizaj, 10 shkurt 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.L., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhuna në familje nga neni 248 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.L., më 8 shkurt 2023 në Kaçanik, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët familjare, i pandehuri pas një fjalosje që kishte me anëtarët e familjes së tij për të shkuar për të punuar jashtë vendit, në atë mënyrë që i njëjti me përdorim të forcës kishte filluar të bëjë demolimin e orendive në shtëpi si dhe duke ju sjellë keqtrajtim psikologjik të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarës bashkëshortes së tij – A.L. dhe anëtarëve të tjerë të familjes, duke ju bërtitur me ton të lartë me ç` rast si rrjedhojë e këtyre veprimeve tek e dëmtuara dhe anëtarët tjerë i`u ka shkaktuar shqetësim emocional, frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tyre.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej njëzet (20) ditësh.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.