Ferizaj, 12 mars 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.G., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri nga data 1 shkurt 2022, ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit, në atë mënyrë që i dëmtuari E.A., për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, është detyruar që të kërkoj para fajde nga i pandehuri, në atë mënyrë që fillimisht ka marrë katërmijë euro me fajde 20% në muaj, mirëpo me pamundësi për ti paguar shumat e fajdeve është detyruar të merr edhe 3 herë nga dymijë euro dhe një herë gjashtëmijë euro, pra gjithsej gjashtëmbëdhjetë mijë euro, për të cilat ka paguar në emër të fajdeve nga tremijë e dyqind euro në muaj, kështu që brenda një viti ka paguar shumën prej katër dhjetë mijë euro vetëm për fajde, kurse borxhin prej gjashtëmbëdhjetë mijë euro ka mbetur pa e paguar.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.