Prishtinë, 31 mars 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj sot ka pranuar çmimin “Gjykata më Transparente në Kosovë”. Çmimi është ndarë nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byros Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL) në bashkëpunim me Lëvizjen FOL të cilët kanë monitoruar procesin e publikimit të aktgjykimeve në gjykatat e Republikës së Kosovës.
Të pranishëm në këtë organizim ishin: Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Tamara Greig, Drejtoresh e INL në Kosovë – Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byros Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit, si dhe kryetarët të Gjykatave Themelore në nivel vendi.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj dhe Tamara Greig, Drejtoresh e INL në Kosovë, me nga një fjalë rasti kanë vlerësuar lartë rëndësinë e transparencës së punës së gjykatave përmes publikimit të vendimeve gjyqësore.
Çmimi i Transparencës, është pranuar nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj Mustaf Tahiri, i cili krahas falenderimit për vlerësimin e punës së gjykatës theksoi se ky çmim i dedikohet të gjithë stafit të Gjykatës Themelore në Ferizaj duke shtuar se ky çmim do të jetë motiv shtesë për vazhdimin e mëtutjeshëm të rritjes së transparences dhe llogaridhëniës.