Ferizaj, 9 qershor 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.E., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitja nga neni 317 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 7 prill 2023, në një rrugë të qytetit të Ferizajt, me dashje dhe me përgatitje paraprake, së bashku edhe me të dyshuarin S.A., i cili akoma gjendet në arrati, me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm pasuror për vete, kanë kryer grabitje në dëm të dëmtuarit – fëmijë, në atë mënyrë që me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze për ta sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, fillimisht e detyrojnë të dëmtuarin që t`i nxjerrë të gjitha gjërat nga xhepat, më pastaj i pandehuri M., e godet një herë me grusht në gjoks, i`a merr një telefon në vlerë prej njëqind e njëzet (120) euro dhe e detyron që t`ia tregoj edhe password-in e telefonit, duke i shkaktuar kështu dëm material në shumë prej njëqind e njëzet (120) euro.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.