Ferizaj 16 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së sigurisë kundër të pandehurve si vijon:
N.Xh., i dyshuar për shkak të veprës penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 paragrafi 1; pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
B.B., i dyshuar për shkak të veprave penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale nga neni 380 paragrafi 1; pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I.S., i dyshuar për shkak të veprës penale pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare nga neni 386 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
J.V., i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1; marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
F.Z., i dyshuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
R.C., i dyshuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
A.S., i dyshuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesë (5) të dyshuarve: N.Xh., J.V., F.Z., R.C., A.S., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.
Të pandehurit I.S., i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i caktohet masë e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sa i përket të dyshuarit B.B., i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i caktohet masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.