Ferizaj, 17 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit D.Sh., për shkak të veprës penale vrasja e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin D.Sh., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetëmbëdhjetë (18) vjet, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri D.Sh., është shpallur fajtor sepse me datë 15 qershor 2018, në një kafiteri në Ferizaj, me dashje direkte, nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.I., në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, në të cilën tani i ndjeri e kishte goditur me thikë tani të pandehurin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupor, i pandehuri në shenjë hakmarrje ditën kritike ka shkuar së bashku me të pandehurit M.M. dhe A.A., në kafiteri ku ishte duke punuar tani i nderi si sigurim fizik, me ç` rast e ka nxjerrë thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër, kurse i pandehuri M., e godet me shishe të qelqit disa herë si dhe i pandehuri A., e godet me shqelma, kështu që i ndjeri rrëzohet, kurse i pandehuri D., e godet edhe tetë herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës nga të cilat goditje pëson lëndime të rënda trupore, gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasoj e të cilave pasi dërgohet në QKUK në Prishtinë ndërron jetë.
Ky rast ishte i kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës.
Të pandehurit D.Sh., me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.