Ferizaj, 16 mars 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale zjarrvënia nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, i pandehuri në bashkëkryerje me tre të mitur, me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas një planifikimi paraprak në mes të pandehurit dhe tre të miturve tjerë, përmes shkallëve emergjente depërtojnë brenda në katin e dytë ku me dy shishe benzinë, hedhin benzinën në dy zyrat e gjyqtarëve penalist dhe në korridor, e më pastaj nga shkallët emergjente e ndezin zjarrin, shpërthen zjarri dhe për pasojë dy zyrat dëmtohen tërësisht po ashtu edhe korridori.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.