Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj së bashku me bashkëpuntorë të tjerë vizituan sot Gjykatën Themelore në Ferizaj

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj së bashku me bashkëpuntorë të tjerë vizituan sot Gjykatën Themelore në Ferizaj

Ferizaj, 24 prill 2024, Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, z. Mustaf Tahiri, së bashku me gjyqtarët e lëmisë civile, stafin administrativ mbështetës të Gjykatës dhe degëve të saj, kanë pritur sot në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj, Kryetarin e Komisonit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, z. Afrim Shala si dhe Komisionin për Kontrollin dhe Monitorimin e kualitetit të të dhënave dhe barazimin e lëndëve gjyqësore në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) me lëndët fizike në Gjykata.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i planit të veprimit për procesin e monitorimit për kualitetit të dhënave në sistemin elektronik dhe barazimi e lëndëve gjyqësore, ato fizike me të dhënat elektronike.

Lidhur me këtë Kryetari Tahiri dhe i gjithë stafi i Gjykatës, ofruan bashkëpunim të plotë për Komisioni dhe se ky plan i veprimit do të jetë i dobishëm edhe për Gjykatën, duke theksuar se hartimi i këtij plani të veprimit do të rezulton me pasqyrime të sakta të të dhënave në sistemin elektronik, me çka do të garantohet edhe shërbim kualitativ për qytetarët dhe palët që marrin shërbime në Gjykatë.

Gjithashtu, në vizitën e sotme Kryesuesi Zogaj dhe Kryetari i Komisionit Shala, mbajtën takim edhe me gjyqtarët e Divizioni Civil të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Degëve të saj, nga të cilët është kërkuar që prioritet tu jepet lëndëve të vjetra, lëndëve në rigjykim dhe lëndëve me prioritet ligjor sipas Planit Strategjik të KGJK-së.

Kryetari Tahiri, theksoi se gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Ferizaj janë duke i trajtuar me prioritet të gjitha lëndët që janë në focus të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025, njëherit premtoi se Gjykata do të ketë angazhim edhe më të madh me qëllim të ngritjes së efikasitetit si dhe kualitetit.

Në vizitën e tyre,  Kryesuesi Zogaj dhe Kryetari i Komisionit Shala, vizituan zyrat e shkrimores së Gjykatës si dhe Zyrën e Ekzekutimeve të Sanksioneve Penale, për të cilën kanë përcjellë nga afër ambientet e punës dhe është njoftuar me hapsirat e shkrimores së Divizionit Civil, si dhe funksionin e Zyrës së Ekzekutimeve të Sanskioneve Penale lidhur me punën e saj.