Ferizaj, 3 maj 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Xh.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhunimi nga neni 227 par. 4 nën paragrafi 4.7 lidhur me paragrafin të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Ilir Bytyqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 1 dhe 2 maj të vitit 2024, në Ferizaj, saktësisht në një motel në Ferizaj, i pandehuri me dashje e detyron të dëmtuarën Q.V., si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore që ka, që e njëjta të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj në atë mënyrë që fillimisht më datën 1 maj 2024 e josh të dëmtuarën përmes rrjetit social “facebook” që të takohen, ashtu që në një vend në Kaçanik del e dëmtuara ku i pandehuri shkon dhe e merr të njëjtën me një veturë të tipit “Passat” dhe e dërgon në një motel në Ferizaj, ku aty e mban të mbyllur për dy ditë rresht dhe gjatë kësaj kohe e detyron të dëmtuarën që të kryej akt seksual disa hera dhe për ta bindur që të kryej akt seksual i pandehuri ushtron edhe dhunë fizike ndaj të dëmtuarës, kurse në fund pas dy dite i pandehuri me të njëjtën veturë që e kishte marr të dëmtuarën, e dërgon në të njëjtin vend e lë në rrugë,-
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.