Ferizaj, 10 qershor 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sh.K., dhe të njëjtit i cakton masën e arrestit shtëpiak, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndimi i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 5 lidhur me paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 19 maj 2024 në Shtime, përkatësisht në shtëpinë e tyre, deri sa i pandehuri ishte kthyer nga puna, pa një mosmarrëveshje të atë çastshme, që kishte pasur tani i ndjeri me nënën e të pandehurit S.T., të cilën ishte duke e sulmuar fizikisht i pandehuri ndërhynë duke e sulmuar tani të dëmtuarin – tani të ndjerin D.K., duke e goditur me grusht në fytyrë nga e cila goditje i dëmtuari rrezohet dhe pëson lëndime trupore duke mbetur pa ndjenja i shtrirë në tokë, më pas të njëjtin e dërgojnë fillimisht në QKMF në Shtime, dhe më pas në Emergjencë në Ferizaj, prej aty e dërgojnë në QKUK në Prishtinë ku edhe ndërron jetë më datë 8 qershor 2024.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka refuzuar, për të cilën të pandehurit i cakton masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj konform dispozitave të KPPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e vendosjes lidhur me masën e arrestit shtëpiak vlerëson se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, bazuar në rrethanat e këtij rasti nuk është arritur të justifikohet. Andaj, të pandehurit Sh.K., i është caktuar masa e arrestit shtëpiak me bindjen se e njëjta do të jetë masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin ligjor të shqiptimit të masave të parapara për sigurimin e pranisë së të pandehurit. Kjo për faktin se sipas dispozitave të KPPRK-së, me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për sigurinë e të pandehurit, gjykata detyrohet t`i merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete të siguroi që të mos zbatoj masë më të rëndë kur mjafton masa më e butë.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.