Ferizaj, 29 korrik 2023 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve D.K. për shkak të veprës penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe A.S., për shkak të veprës penale ndihma në kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht trupi gjykues i përbërë nga kryetari i trupit gjykues – gjyqtarin Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin D.K., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi të përjetshëm, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim si dhe të pandehurin A.S., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vite, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
I pandehuri D.K., akuzohet se në më datë 21 gusht 2021 në banesën në Ferizaj, në intervalin nga ora 10:14 deri të nesërmen më datë 22 gusht 2021 në ora 14:43, në mënyrë mizore e privon nga jeta të ndjerën M.O., me të cilën ka qenë duke bashkëjetuar, në atë mënyrë që gjatë dy ditëve rresht, në vazhdimësi, kohë pas kohe, me vetëdije ndërmerr veprime të dhunshme posaçërisht të rënda – ekstreme ndaj saj, duke e goditur me një shkop të drurit, ngjyrë të zezë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar mu mundime dhe dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga pasojat e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga goditja, shtypja apo përplasja nga ndonjë mjetë të fortë dhe të rëndë mprehtës shkaktohet vdekja e të ndjerës M.O., e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës – lëndimeve të shumëfishta, ku politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejti nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerjet e ashtit, të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhje epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe trurit të vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë dhe të njëjtën me ndihmën e të pandehurit A.S., e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Ndërsa, i pandehuri A.S., akuzohet se me datë, vend dhe kohë të përshkruar si në dispozitivin e parë, me dashje i ka ndihmuar të akuzuarit D.K., ta kryej veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, në atë mënyrë që fillimisht kontakton përmes telefonit dhe takohet në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesën e të akuzuari D.K., i cili ishte duke bashkëjetuar me tani të ndjerën M.O., dhe me dashje ndërmerr veprime duke i krijuar të akuzuarit D.K. kushte për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që përderisa i akuzuari D., ishte duke ushtruar dhunë fizike posaçërisht të rëndë ndaj të ndjerës M., i akuzuari A., hynë në dhomë ku ishte e ndjera, ku aty i njëjti hynë dhe del disa herë dhe gjatë gjithë kohës bisedojnë me D., pastaj shkon tek dera e hyrjes së banesës dhe provon se a është dera e mbyllur me qelës si dhe përmes vrimës së derës së hyrjes shikon dhe përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke n dëgjuar apo lëvizur aty pari, e të cilat veprime i njëjti gjatë qëndrimit në banesë i përsëritë në mënyrë të vazhdueshme herë pas here për të mënjanuar pengesat për gjatë kohës sa i akuzuari D. ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme tek e ndjera M. Po ashtu i njëjti disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore për të akuzuarin D. Dhe për vete, ku edhe nga video incizimit vërehet se gjatë gjithë kohës së qëndrimit në banesë i akuzuari A. dhe i akuzuari D kanë biseduar me telefona dhe njëkohësisht kanë biseduar në mes vete, ku dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë natës në banesën e të akuzuarit D., tregon qëllimin e tij për të ndihmuar të akuzuarin D.K. në kryerjen e veprës penale.
Konform nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPPRK-së i pandehuri D.K., lirohet nga akuza për veprën penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Gjithashtu, i pandehuri A.S., konform nenit 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPPRK-së lirohet nga akuza për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale dhunimi nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
Të pandehurve D.K. dhe A.S., me aktvendim të veçantë i`u vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.