Ferizaj, 8 tetor 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.A., shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi seksual nga neni 229 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3 nën paragrafi 3.9 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 14 nëntor 2023 në një rrugë të Ferizajt, përkatësisht në banesën ku banonin me qira, i pandehuri në cilësinë e prindit e ka keqpërdorur seksualisht vajzën e tij – të dëmtuarën e mitur.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.