Ferizaj, 25 tetor 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.V., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeja në ndihmë nga neni 331 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri nga muaji dhjetor 2023 në Fushë Kosovë ka ndihmuar të pandehurin Sh.V., në kryerjen e veprës penale të fajdesë, në atë mënyrë që me kërkesën e të pandehurit Sh. Në fillim të çdo muaji ka shkuar te objekti ndërtimor afarist në Fushë Kosovë i cili është pronë e të pandehurit Xh. Sh., dhe është prezantuar me emër V.V., kurse prej qiramarrësve të lokaleve afariste ka marrë qiratë për të pandehurin Sh.V. dhe atë F.H. në shumë prej 300 euro në muaj, S.K. në shumë prej 2.000 euro, J.Sh., në shumë prej 450 euro në muaj, B.M. në shumë prej 250 euro në muaj, A.G., në shumë prej 600 euro në muaj dhe S.K. në shumë prej 250 euro në muaj, duke përfituar dobi pasurore në shumë rreth 40.000 euro.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.