Përfaqësuesit e Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale vizituan Gjykatën Themelore në Ferizaj

Përfaqësuesit e Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale vizituan Gjykatën Themelore në Ferizaj

Ferizaj, 3 dhjetor 2024 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj z.Mustaf Tahiri, ka pritur në takim Drejtorin e Programit Drejtësia Komerciale z.Chris Thomspon, Zëvendësdrejtorin e Programit Drejtësia Komerciale z.Qemajl Marmullakaj, Specialisten e Ndërmjetësimit në Programin Drejtësia Komerciale znj. Vionë Aliu dhe Specialisten e Çështjeve Gjinore në Programin Drejtësia Komerciale z. Edona Hajrullahu.

Në këtë takim është diskutuar bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Programit për Drejtësi Komerciale lidhur me forcimin e kapaciteteve të Gjykatës në referimin e lëndëve, veçanërisht atyre civile në procedurat e ndërmjetësimit. Kryetari i Gjykatës falënderoi Programin për përkrahjen e vazhdueshme, veçanërisht përmes praktikantëve të angazhuar në Zyrën për Ndërmjetësim, të cilët kanë kontribuar në mbarëvajtjen e kësaj procedure. 

Ndër të tjera, Kryetari theksoi përkushtimin e Gjykatës për rritjen e numrit të rasteve të referuara në ndërmjetësim, duke synuar zvogëlimin e ngarkesës së lëndëve në sistemin e rregullt gjyqësor, me fokus të veçantë në lëndët që burojnë nga Kontratat Kolektive. 

Gjykata Themelore në Ferizaj mbetet e përkushtuar të vazhdojë referimin e rasteve në ndërmjetësim, duke synuar t’u ofrojë qytetarëve shërbime sa më cilësore, efikase dhe të shpejta.