Ferizaj, 28 janar 2025 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.D. dhe E.P., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të pandehuri më datë 25 janar 2025, rreth orës 17:05 në një rrugë të qytetit të Ferizajt, pas një mosmarrëveshje në komunikacion, të pandehurit për të sqaruar hynë në automjetin e të dëmtuarit L.Q., dhe gjatë rrugës brenda veturës të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin, pastaj përleshja vazhdon edhe jashtë veturës ku në një moment i pandehuri N.D., nxjerr një thikë nga xhepi dhe me dashje që ta privon nga jeta e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë abdominale duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari fillimisht dërgohet në Emergjencën e Ferizajt pastaj dërgohet në QKUK- Prishtinë, ku i nënshtrohet operimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.