Ferizaj, 13 korrik 2018 – Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 13 korrik 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.T i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 1 të KPRK-së, veprën penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurën S.T e cila sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare nga neni 415 të KPRK-së, dhe të pandehurit G.S. i akuzuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimi në ndihmë nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, gjykata shpalli aktgjykim lirues meqë nuk është provuar që kanë kryer veprat penale siç i ngarkon akuza.
Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin F.T, për veprën penale të kryer në vazhdim ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 1 të KPRK-së, të përshkruar si në pikën I të dispozitivit, i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet e gjashtë (6) muaj, për veprën penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-ss, të përshkruar si në pikën II të dispozitivit, dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet, bazuar në nenin 3, 7, 17, 21, 41, 45, 73, 74, 81, 83, 398, 431 të KPRK-së dhe të nenit 365 të KPPRK-së, të njëjtin e gjykon me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e gjashtë (6) muaj.
I pandehuri F.T akuzohet se gjatë vitit 2014 në Deçan, ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përfitim pasuror për vete nga A.K, me qëllim që të ushtroj ndikim të pa drejtë mbi vendimmarrjen e gjyqtares S. T, në një çështjen civile juridike, në atë mënyrë që ka kërkuar nga B, 20.000 euro si për t’i ndihmuar në zgjidhjen e shpejtë dhe në favor të tyre, mirëpo janë pajtuar që A.K t’i jap truall dhe shumën e parave në vlerë prej 2.000 euro. I pandehuri gjatë vitit 2016 në Deçan ka kërkuar në mënyrë të tërthortë përfitim pasuror për vete me qëllim të ushtrimit të ndikimit mbi vendimmarrjen e personit zyrtarë, në atë mënyrë që pasi të pandehurve Xh dhe A.M, iu kishte caktuar masa e ndalimit, i pandehuri është takuar me I.M, përmes të cilit ka kërkuar 700 euro nga S.M me qëllim që të ushtroj ndikim te gjyqtari që të pandehurve mos tu caktoj paraburgim por arrest shtëpiak. Në tetor të vitit 2014 i pandehuri në mënyrë të drejtpërdrejte ka kërkuar përfitim pasuror për vete, me qëllim të ushtrimit të ndikimit mbi vendimmarrjen e personit zyrtarë, në at mënyrë që pas marrëveshjes paraprake me të dënuarin A.B i cili ishte dënuar sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, me dënim burgimi, në fazën e ekzekutimit i pandehuri kishte marrë 2.500 euro nga A me qëllim që të mos shkoj në vuajtje të dënimit, me ç rast ka përpiluar aktvendimin e falsifikuar me të cilin ndalohet ekzekutimi i dënimit me arsyetim se është bërë parashkrimi absolut i ekzekutimit. Në nëntor të vitit 2016 i pandehuri ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në atë mënyrë që pas marrëveshjes paraprake në mes palës N.M dhe, i pandehuri ka falsifikuar certifikatën dhe për këtë ka marrë 800 euro. Me 17 nëntor 2016 , në Deçan, i pandehuri ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal dhe atë ekstraktin nga regjistri qendror i gjendjes civile, i cili ekstrakt nuk përmban numër personal dhe është i falsifikuar. Në dhjetor të vitit 2016, ka përpiluar dokument të falsifikuar me qellim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, dhe atë aktvendim në të cilin ceket se “pezullohet, propozimi për përmbarim i kreditorit A.M të lejuar nga ana e kësaj gjykate me aktvendim mos pagesës së borxhit ndaj po të kësaj gjykate” aktvendim ky i lëshuar në emër të gjyqtares S.T. Në tetor 2014 në Deçan, ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal.
Gjykata bazuar në nenin 364 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPPRK-së, të pandehurën S.T e akuzuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale marrja apo asgjësimi i vulave zyrtare ose i shkresave zyrtare nga neni 415 të KPRK-së, dhe të pandehurin G.S. i akuzuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimi në ndihmë nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, i ka liruar nga akuza me që nuk është provuar që kanë kryer veprat penale për të cilat i ngarkon akuza.
E pandehura S.T sipas aktakuzës, akuzohet se gjatë vitit 2017 si person zyrtar – Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë – dega në Deçan ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit për personin tjetër, në atë mënyrë që pasi ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurit Sh dhe B.H, për shkak të rrezikut se të pandehurit mund të arratisen dhe të përsërisin veprën penale, e pandehura nën ndikimin e të pandehurit F.T, e ka zëvendësuar në mënyrë të kundërligjshme masën e paraburgimit me masën e dorëzanisë, për të cilën vepër nuk mund të caktohet masa e dorëzanisë, pasi që më parë i pandehuri F.T kishte marrë 2.000 euro nga vëllai i të pandehurve. Ndërsa nga data e pa vërtetuar deri më 13 Janar 2017, në shtëpinë e saj në mënyrë të kundërligjshme ka fshehë dokumentet zyrtare , në atë mënyrë që me rastin e kontrollit në shtëpinë e saj nga ana e policisë, janë gjetur dhe sekuestruar 62 lëndë origjinale të departamentit të kundërvajtjes në Gjykatën Themelore në Pejë , 53 lëndë penale, aktvendime, ankesa, padi, kallëzime penale si dhe shkresa tjera të kësaj gjykate të cilat pa autorizim i ka mbajtur në shtëpinë e saj.
I pandehuri G.SH akuzohet se në mes datës 02 – 09 janar 2017, si person zyrtarë – Polic i Kosovës , në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka ndihmuar të pandehurit F.T që të merr përfitim pasuror nga B.H me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e personit zyrtarë,
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.