Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit i Përgjithshëm – Divizioni Penal, më 30 prill 2019, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Rr.Ç i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari individual i Divizionit Penal Ilir Bytyqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet e (6) gjashtë muaj..
I pandehuri RR.Ç, akuzohet se në shkurt të vitit 2017, në magjistralen Ferizaj Kaçanik, duke drejtuar kamionin e markës “Scania A 4X2”, duke vepruar në kundërshtim me dispozitën ligjore nga neni 48 paragrafi 1.2.3 dhe nenit 242 të LSKRR-së, gjatë drejtimit në rrugë publike nga pakujdesia ka ndërmarrë veprimin e frenimit të mjetit, ku si rezultat i këtij frenimi në fund të procesit nuk ka arrit të kontrollojë automjetin brenda shiritit të qarkullimit rrugor, mirëpo i njëjti kalon në shiritin e kundërt dhe ndeshet me automjetin e markës “VW Sharan”, i cili ishte duke lëvizur në shiritin e tij të lëvizjes dhe nga këto goditje përveç dëmeve të mëdha materiale, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar drejtuesi i makinës E.I pasagjerët J.I dhe N.I, ndërsa lëndime trupore pëson edhe i pandehuri.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.