Ferizaj – 13 dhjetor 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit T.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe të pandehurin D.L. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale vrasja e rendë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
I pandehuri T.L. dyshohet se më 8 dhjetor 2019 në fshatin Surqinë – Komuna Ferizaj, ka privuar nga jeta viktimën Sh. B., pas një mosmarrëveshje mes tyre e cila ka rrjedhur si rezultat i një borxhi që i dyshuari ia kishte viktimës, në shumë prej 40,000 euro dhe meqë i pandehuri nuk kishte arritur të siguronte këtë shumë të parave, afër një shkolle në fshatin Suriqnë dhe pas një grindje paraprake e qëllon me armë në kokë nga mbrapa tani të ndjerin Sh.B, duke e lënë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas thërret vëllain e tij – të dyshuarin D.L. dhe së bashku e marrin trupin e viktimës dhe e dërgojnë në fshatin Kishnapole, ku e hudhin në një përrockë ku më pas i pandehuri T.L. e spërkat trupin e pa jetë me benzinë dhe ia vë flakën.
Andaj Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.