Ferizaj – 20 dhjetor 2019 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurës M.P., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
E pandehura M.P. dyshohet se më 31 gusht 2018 në Ferizaj, në afërsi të restorantit “Ujëvara”, e ka privuar nga jeta viktimën A.K. me të cilin fillimisht kishte kontaktuar dhe kishin lënë edhe vendtakimin ashtu që në orët e mbrëmjes, takohet me të njëjtit ku me veturën të cilën e ngiste tani i ndjeri, janë futur në një rrugë qorre dhe aty e qëllon dy herë me armë zjarri ku i ndjeri merr plagë vdekje prurëse, dhe e dyshuara largohet nga vendi i ngjarjes, ku me datë 2 shtator 2018 i njëjti gjendet pa shenja jete ku në veturë pranë tij është gjetur edhe arma e tipit “Pistoletë M57” si dhe një karitkator me 5 fishekë.
Që nga ajo kohë, e dyshuara kishte qenë në arrati deri në arrestimin e saj nga ana e policisë pas ekstradimit nga autoritetet gjermane.
Andaj Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarës e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtës i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.