Prishtinë, 8 korrik 2020 – Duke filluar nga sot, kalkulatori i taksave gjyqësore dhe ai i gjobave penale do të jenë online në ueb faqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), përkatësisht në faqen e Gjykatës Themelore në Ferizaj. Kalkulatorët inovativë dhe me përdorim të lehtë, u japin qytetarëve të Kosovës mundësinë që nga rehatia e shtëpisë, t’i vlerësojnë kostot e taksave gjyqësore dhe të gjobave penale.
Me mbështetjen e USAID-it, përmes Programit për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, Zyrës së Departamentit të Drejtësisë të SHBA për Zhvillim Prokurorial të Jashtëm (OPDAT) dhe Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), këto përpjekje e bëjnë gjyqësorin e Kosovës më të qasshëm për qytetarët e vet.
Kalkulatori i taksës gjyqësore, i zhvilluar nga USAID-i u ndihmon qytetarëve që t’i parashikojnë tarifat për lëndët civile me vetëm disa klikime, duke e eliminuar nevojën për t’u mbështetur tek avokati për të përcaktuar shpenzimet.
Kalkulatori i gjobave penale i sponsoruar nga INL dhe OPDAT shërben edhe si mjet ndihmës për të përcaktuar gjobat penale dhe u lejon qytetarëve të kuptojnë metodologjinë që përdorin gjyqtarët për shqiptimin e tyre. Kjo bazohet në Udhëzuesin e Gjykatës Supreme, të miratuar së fundmi dhe në dispozitat e Kodit Penal. Lansimi i kalkulatorëve është pjesë e një varg veçorish në uebfaqen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të zhvilluara nga Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, për të rritur transparencën gjyqësore dhe qasjen e qytetarëve në drejtësi.
Veçoritë e tjera të uebfaqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës përfshijnë databazën e aktgjykimeve të gjykatave, mundësinë për të paraqitur ankesa disiplinore kundër gjyqtarëve, dhe pasqyrën e performancës së gjyqësorit. Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë është një aktivitet pesë-vjeçar për sundimin e ligjit që përqendrohet në promovimin e një sistemi gjyqësor që respekton standardet e larta të pavarësisë, paanshmërisë, integritetit, llogaridhënies dhe transparencës.