500 euro gjobë dhe gjashtë (6) muaj burgim me kusht për mos raportim të pasurisë

500 euro gjobë dhe gjashtë (6) muaj burgim me kusht për mos raportim të pasurisë

Ferizaj, 7 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamentit i Përgjithshëm – Divizioni Penal, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit L.A. shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se për veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari individual Elmaz Zenuni, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dhe pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK, të njëjtit i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro dhe dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën prej një (1) viti, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri akuzohet se në mars të vitit 2019 në Ferizaj, në pozitën zyrtare në Asamblenë Komunale në Ferizaj, i cili ka qenë i detyruar sipas ligjit të bëjë deklarimin e pasurisë së të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, në atë mënyrë që në formularin për deklarimin e pasurisë për periudhën 1 janar e deri më 31 dhjetor 2018 nuk ka paraqitur të dhënat lidhur me zotërimin e aksioneve në shoqëri tregtare  në disa biznese.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.