Ferizaj 12 mars 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.H. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi nga neni 184 paragrafi 3 nën paragradi 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Hakile Ilazi, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri B.H. më 11 mars 2021, në fshatin Petrovë, Komuna Shtime, në shtëpinë e tyre të përbashkët, me dashje përdor forcën ndaj viktimës së ndjeshme-bashkëshortes së tij në atë mënyrë që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin edhe më herët, fillimisht e ofendon me fjalë të rënda pastaj e godet me shqelm dhe me grusht në kokë duke i thënë merre çikën dhe shko te nëna jote.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Sipas vlerësimit të gjykatës, janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat ligjore të KPPRK-së, marr parasysh se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, dhe se po të gjendet i pandehuri në liri mund të ndikoj tek e dëtuara dhe dëshmitarët, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.